Stefan Efenberg, ish-mesfushori i famshëm gjerman, mundtë bëhet trajneri i Shalkes që nga sezoni i ardhshëm pasi 44 vjeçari është në bisedime me drejtuesit e këtij klubi për t’u ulur në pankinën e skuadrës të lënë bosh që pas shkarkimit të Hub Stivens.
Sipas mediave gjermane, gjatë javës së kaluar është zhvilluar një takim mes tij dhe shefit ekzekutiv të klubit, Klemens Tonis, ashtu si edhe me menaxherin Horst Held, ku janë diskutuar kushtet e një kontrate të mundshme dhe planet e klubit qw në këto javë po lufton për të mbajtur vendin e katërt në klasifikim. Megjithatë, palët kanë preferuar që të mos tregojnë me detaje se për çfarë është biseduar dhe për një akord të mundshëm mes tyre.
“Nuk është vendosur ende asgjë. Sigurisht që Efenberg është një nga trajnerët më interesantë të të ardhmes”, ishin fjalët e Held. Ndërsa vetë ish-mesfushori, ka bërë të qartë se dëshiron të fillojë këtë karrierë të re shumë shpejt. “Objektivi im është që të bëhem një trajner i suksesshëm. Kjo mund të bëhet e mundur te Shalke, por edhe në vende të tjera”, shpjegoi Efenberg.
I ashtëquajturi “Tigri” ka marrë licencën e trajnerit që në vitin e kaluar, por nuk ka ende eksperiencë si trajner me asnjë skuadër, pasi në vitet e fundit ka punuar si komentator në televizionet gjermane. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 April 2013 10:24