Mbipopullimi në repartin e sulmit nuk shqetëson Aleks Ferguson, i cili shpreson që gjatë verës të afrojë në skuadër edhe Robert Levandovskin, sulmuesin polak të Borusia Dortmund. Ndonëse aktualisht Mançester Junajtid ka katër sulmues shumë të mirë si Van Persi, Runi, Uellbek dhe Hernandez, trajneri skocez është i bindur se mund të gjejë mënyrën për të aktivizuar edhe një tjetër, duke blerë lojtarin që po ndiqet me interes nga klubet më të mëdha evropiane pasi ka shënuar 35 gola në 44 ndeshje në këtë sezon.
“Nëse shfaqet mundësia për të marrë lojtarin e duhur, duhet të jesh gjithmonë gati. Unë mund të krijoj hapësira për cilindo këtu, për sa kohë që ai ka cilësinë e kërkuar. Tani nuk jam i sigurt se Levandovski do t’i shitet Bajernit. Tifozët e Dortmundit nuk do të jenë të lumtur dhe nuk besoj se vetë kjo skuadër dëshiron t’i shesë më lojtarë rivalëve të mëdhenj. Mendoj se do ta mbajnë deri në fund të kontratës ose do ta shesin në ndonjë kampionat tjetër”, tha Ferguson rreth situatës së krijuar pas lajmit se bavarezët kishin arritur një akord me Mario Gëtze.
Trajneri skocez më pas foli edhe për Ligën e Kampioneve, ku ka besim se Borusia Dortmund mund të bëjë mrekullinë në këtë sezon.
“Po të mos ishte për gjyqtarin e ndeshjes ndaj Realit, tani do të ishim ne duke u përballur me Borusian. Ndaj i kemi vënë objektiv vetes që të paraqitemi më mirë në Evropë në sezonin e ardhshëm, duke shtuar një apo dy lojtarë cilësorë. Unë e kam thënë prej kohësh që Borusia Dortmund i ka dhënë prioritet Ligës së Kampioneve në këtë sezon. Ata kanë një rekord të pabesueshëm ndaj Bajernit, pavarësisht asaj që tregon klasifikimi i kampionatit, ndaj nuk jam i bindur se bavarezët do ta kenë të thjeshtë përballë tyre në një finale të mundshme”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 28 April 2013 12:11