Robert Levandovski ka refuzar të bëjë komente për të ardhmen e tij te Borusia Dortmund, duke bërë të qartë se çdo zë për transferimin e tij është thjesht spekulim mediatik. Lojtari u përfol se kishte nënshkruar për Bajern Mynih, ndërsa mendohet se për të interesohen edhe ekipe si Mançester Junajtid, Real Madrid e Çelsi.
“Nuk do të flas për spekulime të tilla”, deklaroi 24 vjeçari për gazetën polake “Fakt”. “Mediat shkruajnë shumë rreth meje, por kjo është thjesht puna e tyre. Për mua është shumë e vështirë të them tani se çfarë do tëndodhë kur të mbarojë sezoni. Unë përqendrohem vetëm në ndeshjen e radhës dhe te sfida ndaj Real Madrid. Më pas do të shoh se çfarë do të më sjellë jeta”, tha lojtari.
Levandovski ka shkëlqyer në dy vitet e fundit me fanellën e Borusias, por ajo që e afirmoi në skenën ndërkombëtare ishin 4 golat e shënuar të mërkurën kundër Real Madrid, ku sipas tij, skuadra e Murinjos nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte në fushë.
“Ata nuk po kuptonin asgjë kur ne ushtruam trysni ndaj tyre në pjesën e dytë, shpesh ato thjesht nuk dinin se çfarë të bënin në fushën e lojës. Edhe pas ndeshjes, as nuk ishin në gjëndje të flisnin. Vrapuan shpejt drejt dhomave të zhveshjes ndërsa ne po festonim me skuadrën fitoren në fushë”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:52