Sulmuesi brazilian Neimar, shumë shpejt do të vendosë nëse do të transferohet në Evropë në këtë vit apo në atë pasardhës, pasi i ka bërë të ditur klubit të Santos se nuk do të rinovojë më me të.
Këtë fakt e ka pranuar zëvendëspresidenti i Santos, Odilio Rodriguez, i cili në një radio spanjolle deklaroi se “ka komunikuar se nuk do të rinovojë me ne pasi mendon se cikli i tij me Santos ka përfunduar”.
Me këto fjalë, drejtuesi i klubit brazilian i ka hapur efektivisht rrugë kalimit të sulmuesit për transferimin në Evropë, ku ai ndiqet intensivisht nga klubet më të mëdha. Neimar ka një kontratë edhe për vitin 2014 me klubin brazilian, por Santos tashmë do të kërkojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij, për të mos e humbur me parametër zero një lojtar që aktualisht vlerësohet rreth 40 milion euro.
Dihet prej kohësh që Neimar ndiqet me shumë interes nga Barcelona dhe ka një tërheqje të ndërsjellë mes palëve. Por kohët e fundit, kalimi i tij te katalanasit është vënë në dyshim nga disa deklarata të vetë lojtarit, i cili ka bërë të qartë se janë edhe shumë ekipe të tjera në të njëjtin nivel si katalanasit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:46