Interi i sezonit 2013-2014 do të bazohet kryesisht te të rinjtë dhe këtë fakt e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e skuadrës zikaltër. Drejtori i përgjithshëm i Interit, Marko Fasone, ka bërë bilancin e “blerjeve” të deritanishme për skuadrën, duke filluar që nga konfirmimi i blerjes së talentit të Sampdorias, Mauro Ikardi.
“Bilanci për momentin na ndalon shpenzime të çmendura, por kemi arritur të mbyllim 5 goditje interesante për sezonin e ardhshëm: Laksalt, Kampanjaro, Andreolli, Bota dhe Ikardi”, shpjegoi drejtuesit i Interit.
Ikardi është një nga emrat që çdo skuadër e madhe e Serisë A ka ndjekur me vëmendje, por argjentinasi i Sampdorias, një nga miqtë e Lionel Mesit, ka zgjedhur pikërisht zikaltërit për të vazhduar karrierën e tij.
Nga ana tjetër, presidenti Morati ka hedhur poshtë zërat për largimin e portierit Samir Handanoviç, duke bërë të qartë se dëshironte të mbante përsëri sllovenin në radhët e skuadrës së tij dhe nuk mendonte për një shkëmbim me Sançez të Barcelonës.
“Sançez është një lojtar shumë i mirë por ato që bëjnë diferencën janë lojtarë të tjerë, të vështirë për t’u blerë. Handanoviç është një kolonë mbështetëse për ne, do të mundohemi ta mbajmë”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 April 2013 15:57