Ronaldinjo do të jetë përsëri kapiteni i Brazilit në ndeshjen miqësore ndaj Kilit, duke iu afruar më shumë edhe kthimit të tij si një titullar i rregullt në kombëtaren e drejtuar nga Luiz Felipe Skolari.
Trajneri ka konfirmuar se shiriti do t’i shkojë përsëri 33 vjeçarit në atë që është ndeshja e fundit përgatitore për Brazilin para se të organizojë Kupën e Konfederatave në qershor.
Ashtu si në miqësoren kundër Bolivisë të përfunduar me rezultatin 4-0, Skolari ka grumbulluar vetëm lojtarë që luajnë në Brazil, për të parë më mirë talentin vendas dhe alternativat e mundshme për aktivitetin e kësaj vere dhe sidomos asaj pasardhëse, Botërorit 2014.
Sipas trajnerit, vetëm njëri mes Ronaldinjo dhe Kaka ka vend në kombëtaren e tij dhe për momentin, fantazisti i Atletiko Mineiro është më i avantazhuar për të fituar këtë vend në formacion.
“Ronaldinjo ka një avantazh pasi ka luajtur ndaj Bolivisë dhe ai do të luajë përsëri kundër Kilit. Ai është një lojtar i rëndësishëm për këtë skuadër. Dua që kapiteni të tregojë sjellje të mirë dhe të drejtojë skuadrën. Kjo është ajo që unë pres nga Ronaldinjo”, shpjegoi Skolari. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 24 April 2013 18:26