Luis Suarez është dënuar me 10 ndeshje pezullim nga Federata Angleze e Futbollit, për gjestin që bëri të dielën, ku kafshoi Branislav Ivanoviç të Çelsit. Gjyqtari nuk e ndëshkoi incidentin në fjalë gjatë ndeshjes, pavarësisht protestave të mbrojtësit të Çelsit, por për këtë ngjarje ka hyrë në fuqi prova televizive.
Ndonëse Suarez pranoi fajin para autoriteteve të FA, këta të fundit e kanë cilësuar si të pamjaftueshëm dënimin standard prej 3 ndeshjesh. Lojtari, ashtu si edhe drejtuesit e Liverpulit, po mendojnë që të apelojnë këtë vendim të dhënë ndaj tij, siç u konfirmua edhe nga drejtori i përgjithshëm i klubit, Ian Air.
“Si klubi, ashtu edhe lojtari, janë të tronditur dhe të zhgënjyer nga rreptësia e vendimit të Komisionit. Por do të presim shpjegimin me shkrim para se të bëjmë ndonjë koment tjetër”, tha ai.
Shtypi britanik bëri të ditur se Ivanoviç mund të hapte edhe çështje civile ndaj Suarez, por mbrojtësi ka vendosur të mos bëjë kallëzim penal ndaj tij, ndonëse kafshimi klasifikohet te “sulmi ndaj shëndetit”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 24 April 2013 18:26