Braziliani Leonardo po bëhet gati të kthehet te Interi, por jo më në rolin e trajnerit, por të administratorit të përgjithshëm. Mediat franceze dhe ato italiane prej kohësh kanë bërë të ditur se ai do të largohej nga PSZH në fund të këtij sezoni, por tashmë është mësuar edhe vendi se ku do të vazhdojë karrierën e tij.
Masimo Morati ka nevojë për një njeri të besuar, në mënyrë që t’i lëshojë një pjesë të barrës së rëndë të punës si drejtues i zikaltërve. Ai ka marrë shembullin nga ajo që bën Adriano Galiani te Milani dhe për këtë arsye është vënë në kërkim të një personi të ngjashëm me njohuri të mira dhe një të kaluar te zikaltërit. Emri i vetëm që plotëson çdo kusht të mundshëm është ai i Leonardo, i cili ka shkëlqyer edhe në postin e drejtuesit te PSZH.
Te zikaltërit ai do të jetë numri 2 pas vetë presidentit të klubit, ose më saktësisht imazhi publik, ai që do të jetë i detyruar të shfaqet gjithmonë para mediave, për t’i hequr këtë pjesë të “bezdisshme” Moratit.
Kritikat e shumta që ka marrë në Paris mbi mënyrën se si ka “ndërkombëtarizuar” lojën e PSZH pa marrë yjet francezë, ka bërë që Leonardo të mërzitet shumë shpejt në kryeqytetin francez, duke preferuar që para 2.5 milion eurove që përfiton në vit, të shohë më shumë për një jetë të qetë në Itali, sidomos në Milano ku e pret edhe gruaja e tij e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 24 April 2013 15:46