Silvio Berluskoni nuk është i kënaqur me Masimiliano Alegrin, ndonëse ky i fundit ka bërë një mrekulli të vërtetë duke çuar një ekip të bërë nga e para deri në vendin e tretë në Serinë A. Presidenti i kuqezinjve nuk është bindur kurrë nga aftësitë e ish-trajnerit të Kaljarit dhe për këtë arsye po mendon ta zëvendësojë atë në fund të këtij sezoni.
Sipas asaj që është mësuar nga mediat italiane pranë ish-kryeministrit, Berluskoni ka bërë të qartë se ka dyshime mbi trajnerin dhe se ideja e largimit të tij bëhet gjithnjë e më konkrete, pavarësisht kundërshtimeve të Adriano Galianit.
Berluskoni dëshiron që të sjellë në skuadër Çezare Prandelin, por trajneri aktual i kombëtares italiane do t’i thotë po ftesës së tij vetëm pas përfundimit të Botërorit 2014.
Ndaj alternativa për këtë vit të ndërmjetëm është vetëm një, ajo e Klarens Sedorf, një mik i presidentit të kuqezinjve dhe një person që njeh shumë mirë ambientit. Përkrah tij do të jetë si ndihmës Tasoti, një person i palëvizshëm në stafin kuqezi.
Alternativa tjetër, nëse bie poshtë pista Prandeli, është ajo e Marko Van Basten. Ish-sulmuesi holandez po shkëlqen në drejtimin e Herenven në Holandë, ndërsa shpesh ka shprehur dëshirën se është gati të pranojë një ofertë të mundshme nga Milani. Por ai do të vijë vetëm nëse i ofrohet një kontratë afatgjatë, jo një kontratë njëvjeçare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 24 April 2013 15:45