Bepe Marota, drejtori sportiv i Juventusit, sot do të jetë në “Allianz Arena” për të ndjekur ndeshjen mes Bajern Mynih dhe Barcelonës. Por vizita e tij, më shumë se për të ndjekur një përballje gjigandësh në Evropë, do të jetë për të filluar bisedime të mundshme me përfaqësuesit e Tomas Myler, mesfushorit ofensiv gjerman të skuadrës bavareze.
Lojtari është një nga elementët kyç të mesfushës së Bajernit dhe kombëtares gjermane në vitet e fundit, por gjithmonë është ankuar se nuk vlerësohet aq sa duhet për këtë kontribut që jep në fushën e lojës. Te Bajern, mediat dhe tifozët gjithmonë vlerësojnë para tij emra si Roben e Riberi, ndonëse Myler është një nga golashënuesit kryesorë të skuadrës në vitet e fundit.
Fakti se bavarezët kanë firmosur me Mario Gëtze, i cili teorikisht luan në të njëjtin rol me Myler, ka bërë që futbollisti të mendojë largimin dhe Juventus të kërkojë të përfitojë nga kjo situatë e krijuar.
Te bardhezinjtë ai do të kthehej menjëherë në një lojtar thelbësor për skuadrën e Antonio Konte, duke qenë një nga idhujt e rinj të tifozerisë bardhezi.
Por në takimin e sotëm, Marota do të flasë edhe me Barcelonën, për të tentuar kthimin në Itali të Aleksis Sançez, gjithnjë e më shumë jashtë planeve të katalanasve, pasi nuk ka arritur asnjëherë të përsëritë formën e shfaqur me fanellën e Udinezes dy sezone më parë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 19:13