Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Portugalisë, Deko, beson se krahasimet mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos janë të padrejta. Sipas tij, është e pamundur të zgjedhësh mes këtyre dy futbollistëve që aktualisht cilësohen si më të mirët në botë.
“Ka qenë një privilegj që kam arritur të luaj përkrah të dyve. Por mendoj se është e padrejtë t’i krahasosh pasi secili prej tyre ka stilin e vet të lojës, për të cilin janë më ë mirët. Ndaj do të ishte e padrejtë të gjykosh se kush është më i miri. Vitin e kaluar, Kristiano ishte më i mirë në 6 muajt e parë, kishte statistika më të mira, por në pjesën e fundit ishte Mesi që regjistroi statistika më të mira se ai”.
Sipas tij, Mesi ka bërë diferencën te Barcelona që nga viti 2004, kur u aktivizua për herë të parë me katalanasit.
“Unë e kam parë Mesin të rritet te Barcelona. Ai është qershia në majë të tortës. Mesi është i aftë ta kthejë këtë skuadër nga shumë e mirë në një diçka krejtësisht tjetër”.
“Ndërsa Ronaldo më çuditi me mentalitetin e tij fitues që në moshë të re. Ai është shembulli i një personi që ka kaluar problemet dhe ka një mentalitet fituesi që sinqerisht nuk e kam parë te askush tjetër”, shpjegoi Deko që ka luajtur përkrah Mesit te Barcelona dhe Ronaldos në kombëtaren portugeze. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 10:00