Adresa e Twitter e Sep Blater është vjedhur nga disa piratë informatike të cilët janë tallur me presidentin e FIFA-s duke lëshuar mesazhe për dorëheqjen e tij dhe përfshirjen në çështje korrupsioni.
FIFA u detyrua të lëshonte një deklaratë rreth kësaj çështje, duke konfirmuar se Blater ishte bërë viktimë e piraterisë.
“Disa adresa të FIFA-s, përfshirë @SeppBlatter dhe @fifaworldcup, janë vjedhur. Nëse keni dyshime apo kërkesa, ju lutem verifikoni çdo informacion nëpërmjet zyrave të FIFA-s”, shkruhet në këtë njoftim.
Mesazhet e rreme në adresën e Blater përfshinin edhe përsëritjen e një mesazhi që vinte nga adresa tjetër e vjedhur, ajo e Kupës së Botës në të cilën shkruhej: “U vendos se Sep Blater do të japë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion”.
“Cicërimat” e tjera talleshin me vetë numrin 1 të FIFA-s dhe akuzat e vazhdueshme për korrupsion ndaj tij.
“E çfarë pastaj se kam marrë para nga princi i Katarit? Unë jam ai që fiton bukën e gojës në familjen time”. “Shkëlqesia e tij, Emiri i Katarit, ka qenë figura më bujare që kam njohur”. “Nuk pendohem për vendimin tim. Unë kam bërë më të mirën për FIFA-n, për 15 vjet kam punuar si i çmendur për këtë organizatë”.
Përgjegjësinë për vjedhjen e adresës së Twitter të Blater dhe Kupës së Botës e ka marrë përsipër një grup që quhet Ushtria Elektronike Siriane, e cila mbështet liderin e këtij vendi, Bashar Al-Asad. Ata postuan mesazhe me sloganet e tyre në adresat e vjedhura. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 09:57