Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez, ka kërkuar falje për “sjelljen e pajustifikueshme” të tij, pasi kafshoi mbrojtësin e Çelsit, Branislav Ivanoviç gjatë ndeshjes mes dy skuadrave që përfundoi me rezultatin 2-2 falë një goli në minutën e fundit pikërisht të sulmuesit uruguaian.
“Kam folur me Ivanoviç në telefon dhe munda t’i kërkoj drejtpërdrejt falje atij. Faleminderit që pranove këtë shfajësim”, ishte komenti që Suarez publikoi në adresën e tij në Twitter.
Para këtij mesazhi në rrjetin social, ai kishte lëshuar një tjetër deklaratë rreth kësaj ngjarje. “Unë i kërkoj falje trajnerit tim dhe çdokujt tjetër te Liverpuli pasi i kam zhgënjyer”.
Mbrojtësi Ivanoviç u ankua edhe te gjyqtari për kafshimin e sulmuesit uruguaian, por ai nuk mori asnjë masë disiplinore ndaj këtij veprimi. Ndërkohë, pritet që një gjë të tillë ta bëjë Federata Angleze, e cila pritet të japë një dënim disajavor për sulmuesin problematik të Liverpulit.
Suarez është dënuar edhe më parë me 7 ndeshje pezullim kur luante në radhët e Ajaks, pasi kafshoi mesfushorin e PSV Otman Bakal në nëntorin e vitit 2010.
Ironikisht, pas gjestit të djeshëm, ndjekësi më i fundit që i është bashkuar në Twitter është ish-boksieri amerikan, Majk Tajson, i famshëm se i kafshoi veshin kundërshtarit të tij, Evander Hollifilld. (LajmeShqip.com)
Monday, 22 April 2013 10:14