Humbja përballë Sandërlend ka shuar thuajse përfundimisht shanset e Evertonit për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve dhe skuadra e qytetit të Liverpulit do të vuajë pasoja mjaft të rënda në fund të sezonit, me largimin e mundshëm të trajnerit Devid Mojes dhe mesfushorit Maruan Fellaini.
Ndonëse Mojes ka 11 vite në drejtimin e kësaj skuadre, prej kohësh është spekuluar se ai do të largohet, në kërkim të suksesit te një ekip tjetër më i njohur që mund t’i japë mundësinë të përfaqësohet në Ligën e Kampioneve.
Gjatë kohëve të fundit, mediat angleze kanë raportuar për interesimin e vazhdueshëm të Çelsit dhe Mançester Sitit për trajnerin skocez, por njëkohësisht edhe të Shalke që është gati ta transferojë në Gjermani.
Përsa i përket Maruan Fellaini, ai është kthyer në një nga emrat më interesant në qarkullim në sezonet e fundit në Angli. Mesfushori 25 vjeçar belg ndiqet thuajse nga të gjitha klubet e mëdha angleze, ndërsa përflitet se për të po interesohet edhe Real Madrid. Sipas asaj që është zbuluar kohët e fundit, Fellaini ka një klauzolë largimi prej 23 milion paund në kontratën e tij, por mund të transferohet në këtë mënyrë vetëm drejt një skuadre e cila luan në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 21 April 2013 10:47