Administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka sugjeruar se më parë do të ishte i prirë të kthente në skuadër Tiago Silvan sesa Zlatan Ibrahimoviç, duke u dhënë fund spekulimeve për kthimin e suedezit në radhët e skuadrës italiane.
Sulmuesi ka kaluar një sezon të parë të shkëlqyer te PSZH, duke shënuar 26 gola në kampionat të cilin skuadra e tij e kryeson qetësisht. Por sipas mediave franceze, ai nuk është i lumtur në Francë dhe është përfolur se skuadrat italiane në të cilat ai ka luajtur më parë si Juventus e Milan, kërkojnë ta kthejnë në Itali.
“Një kthim i Ibrahimoviç nuk duket i mundshëm pasi kërkesat e tij për rrogën janë shumë të larta”, tha Galiani para gazetarëve. “Ai është një profesionist. Ne ishim shumë të trishtuar që e shitëm por ai ka një rrogë që nuk është e përshtatshme me financat aktuale të klubit”.
“A do të ktheja atë apo Tiago Silvan? Skuadra që pëson më pak gola fiton titullin kampion në Itali”, ishte komenti i drejtuesit të Milanit, duke bërë të qartë preferencën e tij për mbrojtësin brazilian. Ky i fundit iu shit PSZH-së për 42 milion euro, ndërsa ishte blerë vetëm 10 milion euro nga Fluminense. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:07