Sep Blater ka lënë të kuptohet se po mendon të qëndrojë në detyrë edhe për 4 vite të tjera si president i FIFA-s, pas mandatit që i përfundon në vitin 2015, duke thënë se reformat në botën e futbollit duan kohë dhe kanë nevojë për udhëzimin e tij.
77 vjeçari kishte deklaruar më parë se nuk do të kërkonte një mandat të pestë në drejtimin e FIFA-s, por duket se ka ndërruar mendje.
“Nuk kemi përfunduar me reformat tona, pasi fillimisht duhet të luftojmë rreziqet që janë në futboll si manipulimi i ndeshjeve dhe gjëra të ngjashme. Pastaj duhet të shohim edhe organizimin politik të UEFA-s”, tha Blater.
“E kam fjalën për Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s, ku aktualisht Evropa dhe Amerika e Jugut mbajnë 2/3 e vendeve. Por do të kërkojë shumë kohë, sepse duhet punë e thellë dhe unë nuk do të braktis këtë barkë në mes të lundrimit. Kuptohet, do të vijë një ditë kur edhe unë do të kthehem në shtëpi, por nuk do ta braktis këtë barkë në mes të rrugës”, deklaroi Blater, duke bërë të qartë se po mendon të rikandidojë për postin të cilin e mban që nga viti 1998. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:06