Mançester Siti kërkon të bindë me çdo kush Edinson Kavanin t’i bashkohet kësaj skuadre gjatë verës, ndërsa është gati ta bëjë atë lojtarin më të paguar në Angli, duke i ofruar një rrogë prej 15 milion euro në vit.
Klubi anglez ka disa javë radhazi që është ulur në bisedime me përfaqësuesit e lojtarit uruguaian, duke negociuar kushtet e kontratës. Duke ditur se ka një interesim edhe nga skuadra të tjera si Real Madrid, Çelsi e Bajern Mynih për futbollistin, drejtuesit e Sitit janë gati t’i ofrojnë Kavanit këtë shifër të larte, për të siguruar atë që cilësohet ndër qendërsulmuesit më të mirë në qarkullim.
Rroga e tij, përfshirë të gjitha premiot dhe përfitimet nga marketingu, do të kapë shifrën e 256 mijë paund në javë, duke kaluar atë të 250 mijë paund që përfitojnë aktualisht Karlos Tevez dhe Uejn Runi, dy futbollistët më të paguar në Angli.
Siti mendon se duke i ofruar një rrogë të tillë, do ta bëjë lojtarin të ndryshojë mendje, pasi persona të afërt me të kanë bërë shpesh të qartë se ai do të preferonte të transferohej te Real Madrid para një eksperience në Angli. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:01