Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, i ka thurur elozhe Olivier Zhirud dhe formës që ka kaluar ky i fundit, duke besuar se sulmuesi do të përmirësohet në sezonin e ardhshëm. Sipas teknikut francez, bashkëkombësi i tij ka ecur mjaft mirë duke shënuar më shumë se 10 gola në këtë sezon të parë ambientimi, që nga transferimi nga radhët e Montpelie.
“Zhirud ka shënuar 17 gola në të gjitha aktivitetet, 11 në kampionat, shifra që për sezonin e parë janë mëse të mira. Ai nuk është si sulmuesit e tjerë që kemi përdorur zakonisht deri tani, por na jep një dimension tjetër me lojën e tij fizike dhe atë në ajër”.
“Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm, ka rezistencë dhe mund të përballojë shumë ndeshje. Ai do të përfaqësohet sa më mirë, i del për zot vetes dhe asaj që ka bërë, e cila për mua është mjaft e mirë deri tani. Mendoj se do të shihni më shumë nga ai në sezonin e ardhshëm dhe do të na dhurojë më shumë nga aftësitë e tij”, deklaroi trajneri i Arsenalit, i cili i ka dhënë një rol më qendror sulmuesit të afruar gjatë verës, duke shpresuar që nëpërmjet tij të zëvendësojë boshllëkun e lënë nga Robin Van Persi. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 19:21