Ish-portieri i Interit dhe përfaqësueses italiane, Valter Zenga, ka folur hapur rreth dëshirës së tij për të marrë drejtimin e zikaltërve në të ardhmen, ndonëse aktualisht gjendet në Dubai ku drejton Al-Nasr.
“Me Moratin kam një raport shumë të mirë. Të drejtoja Interin për mua do të ishte një ëndërr, por jo vetëm për mua, për të gjithë trajnerët pasi ky klub është ndër më të mëdhenjtë”, ishin fjalët e trajnerit që në Serinë A ka pasur eksperienca në drejtimin e Katanias dhe Palermos.
Kjo ftesë direkte e tij ka bërë që edhe presidenti Morati të marrë në konsideratë kandidaturën e ish-portierit, duke e përfshirë në listën e emrave të mundshëm për të zëvendësuar Stramaçionin, gjithnjë e më shumë drejt largimit.
Në listën e numrit 1 të zikaltërve janë ish-trajneri i Francës, Loran Blank, trajneri aktual i Napolit, Valter Mazarri, si dhe Sinisha Mihajloviç. Por kandidatura e serbit duket se është më pak e mundshmja, pasi Morati nuk i beson shumë ish-mbrojtësit, i cili ka dështuar në drejtimin e kombëtares serbe.
Ndaj ideja për t’i kthyer skuadrën një internisti të mirëfilltë si Zenga po tërheq gjithnjë e më shumë presidentin e zikaltërve, për të gjetur një gjuhë të përbashkët edhe me tifozët të cilët kanë filluar të akuzojnë klubin se ka humbur plotësisht identitetin. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 13:44