“Edinson Kavani dëshiron të largohet nga Napoli”. Konfirmimi vjen nga një tjetër familjar i sulmuesit uruguaian, nëna e tij, Berta, e cila ka zbuluar këtë prapaskenë të merkatos në një radio uruguaiane. Pas fjalëve të babait dhe vëllait të sulmuesit, tani vjen edhe prononcimi nga nëna që i vë kapak thuajse përfundimisht transferimit të lojtarit.
“Unë e di që do të pendohet për këtë zgjedhje, pasi asnjë qytet nuk do të arrijë ta dojë ashtu si Napoli. Ai dëshiron të largohet por një ditë do të kthehet përsëri aty. Real apo Bajern? Nuk di të them se çfarë do të ndodhë”, tha zonja Berta.
Çmimi i Kavanit është rreth 60 milion euro dhe nuk janë të shumta klubet që janë të gatshme të paguajnë një shifër të tillë. Dihet që ekziston një interesim i skuadrave angleze të Mançester Sitit dhe Çelsit, por gjithçka do të varet nga afrimi apo jo i sulmuesve të tjerë nga këto dy klube, ashtu si edhe shitja e sulmuesve që kanë aktualisht në kontingjent.
Ndonëse ai ka admirues edhe në radhët e Real Madrid dhe Bajern Mynih, duket e vështirë që këto dy skuadra të paguajnë shumën e 60 milion eurove që kërkon presidenti i Napolit që të lërë të largohet sulmuesin uruguaian. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 10:41