Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandes, është i bindur se Iker Kasijas nuk do të braktisë Real Madrid për t’iu bashkuar Barcelonës dhe për të zënë vendin e Viktor Valdes. Ky i fundit ka bërë të qartë se nuk do të rinovojë kontratën e tij dhe se do të largohet në përfundimin e saj, ndërsa portieri i Realit ka humbur postin e titullarit në klub që pas mbërritjes së Diego Lopez në janar.
Por Ksavi, që është shok i ngushtë me portierin e Realit, mendon se është e pamundur që të ndodhë transferimi i bujshëm mes dy skuadrave spanjolle.
“Më vjen keq për Iker dhe mendoj se është e padrejtë që ai ka përfunduar në stolin e rezervave. Por nuk mendoj se do të vijë te Barcelona”, ishin fjalët e Ksavit për “El Mundo Deportivo”.
“Ai është një “madridista”. Kjo është diçka që nuk mund të anashkalohet. Unë do ta prisja krahëhapur, por të jemi të sinqertë, nuk e mendoj se një gjë e tillë do të ndodhë”.
Mesfushori gjithashtu nuk pret që Valdes të bëjë prapakthehu dhe të vendosë të qëndrojë në radhët e katalanasve.
“E njoh Viktor shumë mirë dhe nuk mendoj se do të ndërrojë mendje. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm dhe jam i trishtuar që do të largohet. Ai është jo vetëm një mik, por edhe një lider i vërtetë. Mendoj se është personi që kam njohur në karrierën time i cili ka marrë trajtimin më të keq nga media. Por ai i ka kaluar kritikat me paraqitje të mira”, deklaroi Ksavi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 April 2013 20:00