Bajern Mynih ka kaluar lehtësisht në finalen e Kupës së Gjermanisë, duke mundur në gjysmëfinale me rezultatin e thellë 6-1 skuadrën e Volfsburgut. Bavarezët duket se nuk dëshirojnë të ulin ritmin në këtë sezon dhe kanë treguar se duan të fitojnë gjithçka të paktën në Gjermani në këtë sezon.
Manxhukiç ka kaluar në avantazh bavarezët pas një pasimi të Roben në minutën e 17-të, ndërsa më pas ka qenë holandezi që ka përfituar nga një pasim i Xherdan Shaqirit, përsëri titullar, për të dyfishuar shifrat. Goli i Diego në fundin e pjesës së parë mendohej se do ta bënte disi më interesantë sfidën e luajtur në “Allianz Arena”, por Shaqiri ka çuar shifrat në 3-1 me golin e tij në minutën e 50-të. Mesfushori kosovar është bërë protagonist edhe në minutën e 80-të, duke dhënë pasimin për golin e 4-1, të realizuar nga Mario Gomez. Sulmuesi gjerman, i aktivizuar vetëm në minutën e 77-të, më pas ka plotësuar një tregolësh, ndërsa brenda 6 minutave ka gjetur edhe dy herë të tjera rrjetën, duke çuar në 6-1 rezultatin përfundimtar të kësaj sfide.
Bajern do të ndeshet në finalen e Kupës me fituesin e çiftit Shtutgart-Fraiburg që luajnë nesër ndeshjen mes tyre. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 22:44