Barcelona vazhdon të mahnitë me rekordet e jashtëzakonshme që vendos herë pas here. Këtë radhë, katalanasit kanë dhuruar një rekord pa precedent, duke regjistruar ndeshjen e 300-të zyrtare radhazi në të cilën ata arrijnë të sigurojnë mbajtjen më të lartë të topit gjatë 90 minutave.
Tiki-taka e famshme e katalanasve është bërë objekt diskutimi prej shumë vitesh në botën e futbollit, por pakkush kishte menduar se sa kohë ka që kjo mënyrë loje është treguar efikase për t’i dhënë avantazhin kësaj skuadre. Sipas statistikave të ofruara nga vetë klubi spanjoll, hera e fundit që nuk kanë pasur mbajtjen e topit në një ndeshje ka qenë në 7 majin e vitit 2008, kur Real Madrid i mori zotërimin e topit me 50.5% përballë 49.5% të katalanasve.
Në total bëhet fjalë për 185 ndeshje kampionati spanjoll, 62 në Ligën e Kampioneve, 39 në Kupën e Mbretit, 8 në Superkupën e Spanjës, 4 në Botërorin për Klube dhe 2 në Superkupën e Evropës. Duke pasur parasysh se filozofia e tiki-taka vazhdon të mbizotërojë në klubin katalanas dhe për disa vite të tjera protagonistët do të jenë të njëjtët, atëherë është e imagjinueshme që shifra 400 ndeshje radhazi me zotërimin e topit, mund të vijë shumë shpejt. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 18:32