Barazimi 1-1 me Milanin në ndeshjen e djeshme i ka dhënë një siguri më shumë Napolit për sigurimin e vendit të dytë në Serinë A dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Por duket se këtë radhë, napolitanët do të marrin pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në Evropë pa pasur në radhët e tyre Edinson Kavanin, i cili ka lëshuar sinjale të qarta largimi.
“Do të më pëlqente shumë ta luaj këtë turne përsëri me një skuadër dhe për një qytet që më kanë dhënë shumë, por të gjithë e dimë se si është bërë futbolli. Unë do të jap maksimumin për sa kohë do të jem te Napoli, kjo është e vetmja gjë që mund të premtoj”, tha sulmuesi.
Një lamtumirë të mundshme të sulmuesit e ka mbështetur edhe trajneri Valter Mazarri, i cili ka deklaruar se Napoli do të vazhdojë të jetë në elitën e futbollit italian edhe nëse largohet ai.
“Do të jetë një Napoli i madh, me apo pa Kavanin. Ka rëndësi gjithmonë grupi, në vitin e parë që erdha këtu kemi arritur pak a shumë të njëjtat rezultate me Kualjarelën. Nëse nuk do të ketë revolucion dhe nuk do të detyrohemi të nisim gjithçka nga zero, atëherë nuk do të ketë probleme. Sidoqoftë, do të vijnë lojtarë të fortë”, premtoi trajneri i Napolit që ka filluar qartësisht të bëjë plane pa Kavanin. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 18:29