Mbrojtësi italian i Torinos, Anxhelo Ogbona, duket se ka tërhequr interesimin e Mançester Junajtid, që ka dërguar një delegacion vëzhguesish për ta ndjekur nga afër këtë fundjavë në ndeshjen përballë Romës. Lojtari 24 vjeçar, i cili ka debutuar edhe me kombëtaren e Prandelit, ka pranuar se ky është një nder i jashtëzakonshëm, pasi interesimi i Aleks Ferguson do të thotë se ai ka bërë gjithçka mirë deri në këtë pikë të karrierës së tij.
“Sigurisht që një interesim i tillë më kënaq, por aktualisht nuk po mendoj rreth të ardhmes. Unë jetoj në të tashmen dhe ashtu si të gjithë shokët e mi po mendojmë vetëm për të shpëtuar Torinon nga rënia”, deklaroi Ogbona.
Lojtari është bërë pjesë e Torinos 7 vite më parë dhe ka debutuar në Serinë A që në vitin 2007. Mbrojtësi shihet si një nga pikat më të forta të kësaj skuadre dhe ka një të ardhme të sigurt në kombëtaren italiane. Kjo është arsyeja pse edhe vetë Torino në të kaluarën ka refuzuar ofertat që i kanë ardhur për futbollistin, edhe kur gjendej në Serinë B. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 18:27