Andrea Stramaçioni ka qenë shumë i mërzitur për humbjen e radhës të Interit të tij, e 12-ta në këtë sezon që duket se është i mallkuar me kuptimin e plotë të fjalës për zikaltërit. Në ndeshjen e përfunduar 2-0 në favor të Kaljarit, përsëri tema kryesore ka qenë gjykimi i ndeshjes, sidomos penalltia që i dha avantazhin Kaljarit në pjesën e dytë.
“Si mund të jepet një penallti e tillë? Ajo nuk ekzistonte dhe kushtëzoi ndeshjen e një skuadre që është në vështirësi. E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe po ecnim në rrugën e duhur, por pastaj gjyqtari u mashtrua nga Pinija, siç e pranoi vetë edhe futbollisti që tha se e kishte fituar penalltinë. Ishte përsëri një vendim i gabuar kundër nesh”, deklaroi ai.
Stramaçioni është i bindur se po të mos kishin qenë këto dëmtime të njëpasnjëshme në skuadrën e tij, Interi do të kishte luajtur për objektiva më prestigjiozë.
“Unë i kam pranuar gjithmonë gabimet e mia. Ajo për të cilën mund të kritikoj veten është se nderova në maksimum pjesëmarrjen në Europa League, duke hedhur në fushë formacionin më të mirë dhe duke shtuar rrezikun e dëmtimeve. Por tani është e lehtë të thuash kështu. Na mungoi vazhdimësia por ekziston ndjesia se kur ishim të kompletuar, ishim konkurrues, ndërsa kur kishim mungesa nuk ishim në lartësinë e duhur”.
“Do të luftojmë deri në fund për Ligën e Kampioneve por ky sezon është i mallkuar. Kur të shtohen edhe gjyqtarët kundër, gjithçka bëhet më e vështirë”, deklaroi Stramaçioni. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 09:49