Menaxheri i Mario Gomez, Uli Ferber, ka deklaruar se klienti i tij është i pakënaqur me mënyrën se si sulmuesi ka përfunduar jashtë formacionit titullar në radhët e skuadrës bavareze. Trajneri Jup Heinkes e përdor me pikatore sulmuesin e kombëtares gjermane të futbollit, pasi Mario Manxhukiç i ka rrëmbyer vendin si titullar atij që cilësohej si i padiskutueshëm në formacion vetëm një vit më parë.
“Sigurisht, Mario nuk është i lumtur me situatën e tij”, tha Ferber për “Bild”.”Është e qartë se nuk mund të qëndrojë në këtë mënyrë. Ai po sillet mirë, është besnik ndaj kërkesave të skuadrës dhe i gatshëm sa herë kërkohet shërbimi i tij. Nëse trajneri e aktivizon, do të thotë se e ka merituar një gjë të tillë”.
“Por dëshira e Marios për të luajtur gjithmonë mbetet e njëjta. Ajo ishte gjatë periudhës kur luante te Shtutgarti, para transferimit te Bajern, apo edhe kur zgjati kontratën me këtë klub, ashtu si tani. Mario do të dëshironte të kontribuonte për një sezon të madh te Bajerni”, tha Ferber. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 April 2013 11:04