Arsen Venger ka përshëndetur forcën psikologjike të lojtarëve të tij, të cilët arritën të përmbysnin në minutat e fundit disavantazhin ndaj Noruiç për të fituar takimin 3-1 dhe për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë në klasifikimin e kampionatit anglez. “Topçinjtë” janë përfshirë në një luftë të ndezur me Totenhem dhe Çelsin, ku tre skuadrat luftojnë për dy vendet që të çojnë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Për momentin, pozicioni nuk është i rëndësishëm. Më e rëndësishme është të vazhdojmë të mbajmë këtë ecuri pozitive. Aktualisht, skuadra që do të tregojë më shumë qëndrueshmëri do të arrijë të përfundojë mes katër më të mirave. Për momentin, jemi ne që kemi qëndrueshmëri më të madhe rezultatesh”, tha trajneri i Arsenalit.
“Përfundimi mes katër të parëve është çështje nervash. Edhe këtë radhë për ne ishte një ekuilibër nervash, cilësie dhe inteligjence. Ne nuk bëmë budallallëqe kur po mundeshim 1-0. Kjo pjesë e lojës është e rëndësishme”, shpjegoi Arsen Venger, i cili me këtë fitore duket se ka rifituar përsëri zemrat e tifozëve të Arsenalit që kërkonin dorëheqjen e tij disa javë më parë, kur përfundimi mes katër ekipeve të para dukej i pamundur. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 April 2013 11:02