Trajneri i Liverpulit, Brendan Roxhers, mendon se Borusia Dortmund ka dhënë shembullin perfekt se si mund të arrihet suksesi pa bërë çmenduri në blerjen e lojtarëve. Formacioni gjerman që arriti të kualifikohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve përfshinte 2 lojtarë të akademisë, 3 transferime me parametër zero dhe 6 lojtarë vlera e blerjes e të cilëve në total nuk kalonte 30 milion paund. Roxhers mendon se mënyra se si Dortmundi ka vepruar në vitet e fundit provon saktësisht këtë mënyrë efikase për të arritur sa më shumë suksese.
“Shihni shembullin e Borusia Dortmund. Ajo është një skuadër që ka fituar Ligën e Kampioneve dhe pastaj vuante financiarisht. Ata filluan procesin e rindërtimit dhe iu deshën 5 vite për t’u kthyer. Fituan kampionatin, por vuajtën për të paraqitur të njëjtin nivel në Evropë”.
“Këtë vit shihet që përpjekjet e tyre kanë qenë të gjitha në Evropë dhe kjo është arsyeja pse kanë humbur titullin. Por kjo është një skuadër që ka pasur një rritje prej 5 vitesh. Nuk ka dyshime që duhen investime për të rritur cilësinë dhe nivelin e objektivave, por ka edhe mënyra të tjera për ta bërë një gjë të tillë dhe për të siguruar një avantazh ndaj rivalëve”, shpjegoi Roxhers,.
“Mendoj se ne mund të bëjmë një hov cilësor në sezonin e ardhshëm. Nëse nuk ke paratë e Çelsit apo Mançester Sitit për të bërë investim prej 70-80 milion paund brenda të njëjtës verë, të nevojitet një mënyrë alternative. Mendoj se kjo është rruga e duhur pasi nuk mendon vetëm por skuadrën, por për klubin në përgjithësi”, deklaroi trajneri i Liverpulit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 17:17