Mbrojtësi i Valencias, Adil Rami, ka deklaruar se dëshiron “të luajë për një nga klubet e mëdha në Evropë”, pasi shtohen spekulimet për largimin e tij nga radhët e skuadrës spanjolle. 27 vjeçari dëshiron të kthehet në një titullar fiks në radhët e kombëtares franceze për Botërorin 2014, ndërsa ka pasur shpesh zëra që e shihnin atë pranë transferimit të Anzhi.
Por vetë lojtari ka hedhur poshtë raportime që e afrojnë atë me klubin rus, ndonëse ka pranuar se po merr në konsideratë idenë e largimit nga Valencia.
“Nuk do të shkoj te Anzhi edhe pse mora një ofertë shumë të mirë nga kjo skuadër. Nuk kam thënë ende fjalën e fundit te kombëtarja franceze, ndaj do të marr parasysh këtë faktor kur të bëj zgjedhjen time. Transferim në Angli? Ndoshta. Unë kam nevojë që të luaj për një klub të madh në Evropë”, tha ai në një deklaratë për “Le Parisien”
Rami ka luajtur 25 ndeshje me fanellën e Francës, ndërsa aktualisht për pozicionin e tij në kombëtare konkurrojnë edhe Mekses, Varane dhe Sakho. Lojtari u transferua nga Lilë te Valencia për 6 milion euro në vitin 2011, ndërsa tani mendohet se çmimi i tij është rreth dyfishit të asaj shume. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 10:19