Aleks Ferguson ka akuzuar Roberto Mançinin se flet budallallëqe, pasi ky i fundit deklaroi se skuadrat e vogla të kampionatit anglez i hapnin rrugë lehtësisht Mançester Junajtid duke ia bërë më të thjeshtë luftën për titull. Kjo deklaratë e trajnerit italian u bë para fitores së Mançester Sitit në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtid, që shkurtoi në 12 pikë diferencën mes skuadrave.
“Mendoj se ky pretendim është budallallëk absolut, seriozisht. Ka shumë ndeshje të cilat i kam ndjekur në këtë sezon me skuadrat që luajnë ndaj Sitit dhe unë kam pyetur veten: “A po mundohen më të vërtetë?”. Por sigurisht që ato po mundohen! Futbolli anglez është më i ndershmi në botë, ata bëjnë maksimumin që munden pasi kështu është natyra e futbollit në Angli”.
“Ndaj është krejtësisht kundër logjikës ajo që thotë Mançini. Ai ndoshta po kërkonte për pak më shumë simpati ndaj tij, apo diçka e ngjashme”, u shpreh Ferguson.
Mançester Junajtid mund të kthejë në 15 pikë diferencën ndaj Mançester Sitit në këtë fundjavë nëse fiton ndaj Stouk, pasi skuadra e Mançinit është e impenjuar me Kupën FA. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 10:16