Real Madrid është kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve mes drithërimave të një ndeshje mjaft të bukur në Stamboll përballë Gallatasarajit vendas. Spanjollët janë mundur 3-2 nga vendasit, por kanë kaluar në turin tjetër falë fitores 3-0 të ndeshjes së parë dhe një prove të shkëlqyer të Kristiano Ronaldos që më dy golat e tij ka shuar çdo shpresë të ekipit turk.
Portugezi kaloi në avantazh skuadrën e tij që në minutën e 7-të, duke bërë që Gallatasaraj të kishte nevojë për 5 gola që të bënte mrekullinë. Por turqit në pjesën e parë janë shumë të ndrojtur dhe të pasaktë para porte, ashtu si në fakt edhe vetë futbollistët e Realit që humbin disa herë mundësinë për të dyfishuar shifrat.
Por gjithçka ndryshon në pjesën e dytë, me aktivizimin e Amrabat në vend të Altintop. Gallatasaraj fillimisht gjen barazimin me Ebue, e pastaj shënon dy gola brenda dy minutave me Shnajder e Drogba, ku ky i fundit tregon nuhatjen e tij para porte më një gjuajtje me thembër për të dërguar topin në rrjetë.
I gjithë stadiumi i beson mrekullisë dhe rreth 50 mijë tifozë mbështetin si të çmendur skuadrën vendase në kërkim të golave të tjerë. Por Reali kthehet në mbrojtje dhe arrin të administrojë rezultatin, ndërsa në minutën e 93-të shënon golin e qetësisë me të zakonshmin Kristiano Ronaldo që tërheq skuadrën në gjysmëfinalet e turneut. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 23:45