Mbrojtësi i Paris Sent Zhërmen, Tiago Silva, ka bërë të qartë se do të ishte gati të transferohet te Barcelona nëse klubi spanjoll do ta kërkonte përsëri në të ardhmen. Katalanasit mendohet se kanë kërkuar blerjen e tij kur ai gjendej në radhët e Milanit në Itali, por ai më pas zgjodhi t’i bashkohej PSZH në Francë. Ndonëse klubi i tij aktual luan kundër Barçës në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, futbollisti brazilian nuk ka bërë asgjë për të shuar spekulimet.
“Nuk mund t’ia mbyllësh kurrë derën një gjëje të tillë, pasi nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Tani jam i lumtur, por nuk di të them se çfarë ka në të ardhmen time”, tha ai, i pyetur për interesimin Barcelonës.
“Kishte bisedime mes menaxherit tim dhe Barcelonës gjatë vitet të kaluar por i kisha dhënë fjalën drejtorit sportiv të PSZH, Leonardo, ndaj nuk mund të tërhiqesha nga vendimi i marrë. Të gjithë kanë ëndrra. Unë kam ndjekur Barcelonën që kur isha fëmijë dhe ata kishin lojtarë si Romario, Ronaldo e Rivaldo. A kam një klauzolë largimi? Unë sapo kam ardhur këtu dhe kjo nuk është gjëja për të cilën mendoj. Por të gjithë e dimë se kur është nevoja, një zgjidhje gjendet gjithmonë”, ishte deklarata e bujshme e Tiago Silvas. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 15:12