Fitorja në derbi kundër Mançester Junajtid ka bindur trajnerin e Mançester Sitit, Roberto Mançinin, se nuk është nevoja të bëjë ndryshime drastike në ekip për të tentuar përsëri fitoren e kampionatit në sezonin e ardhshëm.
“Mund ta fitojmë titullin në sezonin tjetër me këtë ekip. Nuk është e nevojshme që të bëjmë ndryshime”, deklaroi ai, duke ndryshuar praktikisht atë që kishte deklaruar vetëm një ditë më parë se kishte nevojë të blinte lojtarë të tjerë për të rivalizuar me Mançester Junajtid.
“Kundërshtarët tanë e merituan titullin në këtë sezon, por ishim ne që e humbëm pasi kishim disa lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar dhe kjo na krijoi probleme. Nuk kemi luksin të na mungojnë Ture dhe Aguero kur janë të dëmtuar. Por ne e merituam plotësisht të fitonim këtë ndeshje. Nuk e meritonim të humbnim në shtëpi në fazën e parë, ashtu siç nuk do ta kishim merituar një humbje këtë radhë”, u shpreh trajneri italian.
Por ai ka pranuar se pavarësisht shkurtimit në 12 pikë të diferencës me Junajtid, Siti e ka të pamundur të luftojë për titull dhe se skuadra e Ferguson tashmë duhet të bëjë gati festimet e trofeut të radhës.
“Treguam se nuk meritojmë një diferencë të thellë në renditje. Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi duam të përfundojmë kampionatin në vendin e dytë. A ka mbaruar lufta për titullin kampion? Po, ajo ka përfunduar”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 10:00