Duket se të gjithë te Interi janë të bindur se ekziston një “komplot” kundër kësaj skuadre, pasi nuk mund t’i japin shpjegim tjetër gabimeve të gjyqtarëve në dëm të tyre. Këtë bindje e ka shprehur edhe kapiteni i zikaltërve, Havier Zaneti i cili ngre dyshimet se pse ngjarje të tilla ndodhin me kaq vazhdimësi vetëm ndaj ekipit të tij.
“Fatkeqësisht e paguajmë pasi jemi ndryshe nga të tjerët, duhet thënë një gjë e tillë kur ndodhin gjëra të caktuara, sidomos për faktin se na ndodhin shpesh neve”, tha ai. “Ne luajmë vetëm futboll, ajo që ndodh jashtë nuk është në duart tona”.
Ndërkohë, presidenti Morati ka vazhduar protestën e tij publike, duke insistuar se gjithçka po ndodh me një qëllim të caktuar për të dëmtuar Interin.
“Nuk kam ndërruar mendje në lidhje me atë që thashë një ditë më parë. Mjafton të shohësh si shkon ky kampionat, sidomos në lidhje me ne. Kur ekziston vullneti për të goditur, ndodh një gjë e tillë. Kur ka dyshime nuk jepet penalltia për Rokin, kur nuk ekziston as dyshimi, jepet një penallti kundër nesh. U bënë 21 javë që nuk na jepet një penallti”, deklaroi ai, duke shtuar më pas se në kushte të tilla është e kotë të shpresohet në kualifikimin për Ligën e Kampioneve. “Lamtumirë Ligës së Kampioneve? Mendoj se po!”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 09:58