Pjesëmarrja e Milanit në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm është vënë në rrezik nga pretendimet e klubit brazilian Botafogo, për thyerjen e rregullave të transferimit të lojtarëve nga skuadra italiane. Brazilianët kanë dërguar një kërkesë zyrtarë në FIFA dhe UEFA, duke pretenduar se Milani nuk i ka paguar 300 mijë euro për transferimin e Serxho Luis Çeregati në vitin 2010, ndërsa kërkon ndëshkimin për kuqezinjtë në bazë të rregullores së Fair Play Financiar.
Sipas kësaj rregulloreje, klubet lejohen të regjistrohen në aktivitetet ndërkombëtare vetëm nëse kanë bilancin ekonomik të rregullt, si dhe nuk kanë borxhe të asnjë lloji. Por Botafogo pretendon se Milani nuk i ka paguar atë që quhet “taksë kompensimi stërvitje”, e cila u paguhet klubeve që kanë mbajtur një lojtar në sektorin e të rinjve nga mosha 12 deri në moshën 21 vjeçare.
Botafogo pretendon se lojtari i ri, i njohur me emrin Serxhinjo, para se të kalonte te kuqezinjtë, ka qenë pjesë e akademisë së tyre për 4 vite, por klubi italian e ka kundërshtuar kërkesën e tyre duke pretenduar se duhet t’i paguajë vetëm 61 mijë euro në vend të 300 mijë eurove.
Kjo situatë ka shtyrë Milanin që të dërgojë sa më shpejt në FIFA një shpjegim të situatës, ndërsa është në pritje të një përgjigje para se të bëjë hapa të tjerë, për të paguar apo jo Botafogon, për të mos rrezikuar përjashtimin nga Evropa. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 09:56