Uli Hënes ka treguar për “Bild” emocionet e titullit të 23-të kampion të Bajern Muynih. Presidenti i bavarezëve ka treguar se si skuadra ka qëndruar më e përmbajtur se zakonisht, pasi dëshiron të vazhdojë serinë e fitoreve me Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve
“Ky ishte viti i 50-të i Bundesligës dhe trofeu i 50-të në muzeun e klubit, mjaft i veçantë. Asnjë titull nuk është festuar më pak se ky? Gëzimi është brenda nesh, por ne nuk e kemi lënë të shpërthejë ende. Mund ta imagjinoni që për 8 lojtarë ky është titulli parë kampion. Në avion, duke u kthyer në shtëpi, kemi festuar. Por mendoj se të gjithë janë të përqendruar pasi ka ende shumë kohë derisa të fillojë festimet e mirëfillta”, tregoi ai.
“Tani duhet të mundohemi të fitojmë gjithçka,. Por edhe nëse nuk ndodh, nuk do të themi se titulli nuk kishte vlerë. Është krejtësisht e kundërta pasi me 20 pikë diferencën dhe me të gjithë rekordet e thyer, kjo ka qenë një paraqitje e shkëlqyer. A është ky Bajerni më i mirë i të gjitha kohëve? Po luajmë një sezon të madh, por për ta thënë një gjë të tillë duhet të fitojmë Ligën e Kampioneve”.
“Mbi të gjitha jam i lumtur për Heinkes. Skena ku Bastian Shvajnshtajger e shtyu në fushë dhe lojtarët e hodhën në ajër ishte mallëngjyese, më rrodhën lot nga sytë. Nuk e kuptoj se si njerëzit e kanë kritikuar këtë vit, në vende të tjera do t’i kishin bërë një statujë të artë”, deklaroi presidenti i bavarezëve.
Nën drejtimin e Heinkes, në këtë sezon, Bajerni ka arritur shifrën rekord të 13 fitoreve jashtë fushe, 18 ndeshjeve pa pësuar gola, kampion i dimrit më i shpejtë (java 14) dhe kampion më i shpejtë (java 28). Vetë Heinkes në moshën 68 vjeçare është trajneri më i vjetër që fiton titullin në Gjermani, ndërsa me mesataren 26.5 vjeç, Bajern ka ekipin më të ri kampion që nga sezoni 1993-1994. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 13:00