Humbja 3-4 përballë Atalantës ka shkaktuar kaos në radhët e Interit, por zikaltërit e shohin veten më shumë si viktima të trajtimit të padrejtë, sesa të paaftë për t’u kthyer në nivelet e mëparshme. Këtë fakt e kanë konfirmuar deklaratat e presidentit Morati dhe trajnerit Stramaçini që kanë akuzuar direkt gjyqtarët për gabime tendencioze në adresë të tyre.
“Penalltia kundër nesh nuk ekzistonte, nuk i besoj gabimeve në mirëbesim. Një penallti e tillë të ndryshon ndeshjen. Është e padrejtë të krijosh kushtet që skuadra ta ndjejë veten sikur nuk merret në konsideratë. Janë 21 ndeshje radhazi që ne nuk marrim një penallti. Nga ana statistikore mendoj se është e pamundur që të mos kenë ekzistuar episode në zonë ku mund të përfitonim një penallti në 21 ndeshje”, ishte komenti mjaft i ashpër i Moratit pas përfundimit të takimit.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Stramaciconi, i cili i ka dhënë përgjegjësi të mëdha për humbjen gjyqtarit Gervasoni.
“Gjyqtari ka marrë një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi vete në momentin që dha një penallti për kundërshtarët tanë. Ai pa diçka që nuk ekzistonte. Unë nuk mendoj se Gervasoni ka bërë një gabim, pasi ai ka parë diçka që nuk ekziston”, ishte deklarata e Stramaçionit duke aluduar për veprim të qëllimshëm nga kryesori i takimit. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 12:55