Aleks Ferguson beson se kthimi i mundshëm i Zhoze Murinjos te Çelsi gjatë verës do të ishte sfida më e madhe për një titull tjetër të Mançester Junajtid në sezonin e ardhshëm. Murinjo pritet të kthehet përsëri në Angli të londinezët, të cilët duan të nisin një cikël të ri fitues, ashtu siç bënë kur e emëruan për herë të parë.
“Askush nuk mund të parashikojë nëse mund të sigurojmë 3 tituj kampion radhazi. Kemi lojtarët e duhur për ta bërë një gjë të tillë por ky kampionat është i vështirë. Nëse Murinjo do të kthehet te Çelsi, ashtu siç flitet, do të jetë një sfidë e vështirë për ne nga ana e asaj skuadre”, shpjegoi trajneri skocez.
Ferguson ka theksuar se një fitore e mundshme ndaj Mançester Sitit dhe titulli i 13-të kampion me “djajtë e kuq” nuk ishin domosdoshmërisht të fundit për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. Kjo është arsyeja pse ai flet me shumë entuziazëm për ekipin dhe të rinjtë që po rriten, duke pritur që ata të shprehen në maksimumin e tyre në të ardhmen.
“Ne nuk do të biem si skuadër, pasi kemi në ekip shumë futbollistë të rinj. Rafael ka treguar se sa shumë është rritur në këtë sezon dhe De Gea gjithashtu ka pasur një progres të vazhdueshëm. Kagaua do të jetë një lojtar edhe më i mirë në sezonin e ardhshëm, ashtu si Fil Xhons që mund të luajë ku të dëshirojë ai”, ishte entuziazmi me të cilin Ferguson ka përshkruar lojtarët që do të kenë një rol edhe më qendror në skuadër në sezonet e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 11:34