Erik Abidal është kthyer të luajë përsëri futboll, 402 ditë pas paraqitjes së tij të fundit në një ndeshje zyrtare. Mbrojtësi francez, i cili i është nënshtruar transplantimit të mëlçisë pas shfaqjes së një tumori, u kthye në fushën e lojës në ndeshjen që Barcelona fitoi 5-0 ndaj Malagas, duke luajtur 20 minutat e fundit të sfidës mes duartrokitjeve të vazhdueshme të stadiumit “Kamp Nou” që u ngrit në këmbë për të përshëndetur mrekullinë e tij.
“E vërteta është që ky ka qenë një moment i veçantë prej më shumë se një viti. Dua të falënderoj kushëririn tim, pasi pa të unë nuk do të isha këtu sot”, ishin fjalët e para të Abidal pas ndeshjes.
“Mos ndaloni kurrë luftën, duhet të besoni dhe të rezistoni. Nuk desh atë bëhem shembull, por gjërat rrodhën në këtë mënyrë dhe tani dua të ndihmoj njerëzit nëse kanë nevojë për mua”, ishte mesazhi që Abidal u drejtoi të gjithë atyre që vuajnë dhe jetojnë me të njëjtat probleme si futbollisti francez. “Kur mësova se tumori ishte kthyer, kisha mentalitetin e herës së parë, që do të luftoja, të kurohesha dhe të kthehesha përsëri në formë. Dua të falënderoj kushëririn tim që ka bërë një sforco të jashtëzakonshme”, tha ai, duke iu referuar personit në familjen e tij që i “dhuroi” një pjesë të mëlçisë për operacionin.
“Tani ndjehem më mirë, futbolli është jeta ime dhe kam punuar shumë për t’u bërë futbollist. Nuk dëshiroja të largohesha nga ky sport pa luajtur, e kuptoj që kjo ngjarje në jetën time është dera e largimit, por nuk desha që të ikja në këtë mënyrë. Nëse do të mund të vazhdoj të luaj, do të dëshiroja të qëndroja në fushë edhe për një tjetër vit apo dy. Nëse jo, do t’ju ndihmoj juve”, ishte batuta e tij para gazetarëve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:28