Gazeta britanike “The Mirror” ka bërë të ditur se Zhoze Murinjo i ka vënë 3 kushte të panegociueshme Roman Abramoviç, për të pranuar ofertën e këtij të fundit. Nëse gjithçka tjetër është e negociueshme, si pushteti brenda klubit, merkato apo stafi teknik, trajneri portugez ka 3 kërkesat e tij që kërkon të jenë të plotësuara para se të hedhë firmën në letër.
Kërkesa e parë është e karakterit sportiv, pasi ka vënë si kusht baze kualifikimin e londinezëve në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Murinjo i ka bërë të qartë miliarderit rus se nuk e ka problem edhe nëse luhet në turin paraeliminator, mjafton që Çelsi të jetë në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në Evrope, pasi ai nuk dëshiron të luajë në Europa League, atë që e ka cilësuar gjithmonë si “turneu i ngushëllimit”.
Edhe kërkesa e dytë është sportive, ndonëse me qëllim të dyfishtë. Zhoze Murinjo ka kërkuar që klubi të rinovojë kontratën me Frenk Lampard, duke e cilësuar atë pjesë të skuadrës për sa kohë që ai të jetë në drejtim. Qëllimi i Murinjos është që të kthejë mesfushorin në ndihmësin e tij, ndonëse ai do të vazhdojë të japë kontributin në fushën e lojës, edhe pse në një rol jo prej protagonisti.
Kërkesa e tretë është krejtësisht ekonomike. Murinjo ka bërë të qartë se do të largohet nga Real Madrid vetëm për një ofertë të parefuzueshme dhe aktualisht ai nuk do të refuzonte një kontratë prej 14 milion eurosh në vit. Kjo është shuma që pritet të shkruhet në kontratën që palët do të firmosin në qershor, sapo Murinjo t’i këtë dhënë lamtumirën Real Madrid, ndërsa kohëzgjatja e saj do të jetë 3 vjet. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 15:47