Sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, ka konfirmuar se për momentin do të vazhdojë të qëndrojë pjesë e kësaj skuadre. Ndonëse lojtari mendohet se është kthyer në objektivin e merkatos së disa prej klubeve më të njohura në Angli e Spanjë, ai ka konfirmuar se këto janë vetëm spekulime mediatike.
“Nuk kam marrë ende asnjë ofertë dhe më kanë mbetur edhe 3 vite kontratë me Atletikon”, ka kujtuar futbollisti në një prononcim të tij për gazetën “Marca”. “Do të vijë edhe koha kur unë do të largohem, por për momentin, jam shumë i lumtur këtu”.
“Po kaloj një moment të shkëlqyer në karrierën time. Te Atletiko nuk më mungon asgjë. Ne jemi një skuadër punëtore dhe kemi qenë në gjendje që të fitojmë Europa League dhe Superkupën e Evropës në sezonin e kaluar”, shpjegoi ai.
Falkao ka shënuar 22 gola në kampionat në këtë sezon, duke qenë i treti në renditjen e golashënuesve pas Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.
“Aktualisht po konkurroj me dy lojtarë të nivelit më të lartë, Mesi dhe Ronaldo. Nuk di të zgjedh se kush është më i miri mes tyre, pasi ata të dy janë futbollistë të pabesueshëm”, deklaroi Falkao. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 09:16