Federata Ruse e Futbollit ka vendosur se që nga qershori i këtij viti, klubet e Premier Ligës Ruse që punësojnë trajnerë të huaj, do të jenë të detyruar të paguajnë një taksë prej rreth 158 mijë dollarësh. Vendimi në fjalë është cilësuar mjaft i çuditshëm, duke pasur parasysh se vetë Federata Ruse punëson prej shumë vitesh trajnerë të huaj për kombëtaren, duke injoruar “prodhimin vendas”.
“Duke filluar nga 1 qershori, çdo klub i Premier Ligës që nuk ka si trajner një shtetas rus, do të paguajë një gjobë prej 5 milion rubla (158200 dollarë). Klubet e Kategorisë së Parë do të paguajnë 2.5 milion rubla”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga Federata Ruse në faqen e saj të internetit. Sipas Federatës, rregulli do të vihet në zbatim dhe për ato trajnerë që kanë shtetësi të dyfishtë, ndërsa paratë e mbledhura do të shkojnë për projektet e zhvillimit të futbollit të moshave.
Presidentit i Federatës Ruse, Nikolai Tolstikh shpjegoi se kryetari i Shoqatës së Trajnerëve Rusë, Mikhail Gershkoviç, kishte qenë ideatori i kësaj iniciative.
“Mendoj se ne duhet të fillojmë të mbështetim më shumë njerëzit tanë”, shpjegoi Tolstikh, i cili para mediave konfirmoi se 9 nga 16 trajnerët e Premier Ligës Ruse ishin të huaj dhe kjo kishte krijuar shqetësim te trajnerët vendas që injorohen gjithnjë e më shumë, edhe nga klubet e kategorive më të ulëta. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 09:14