Zlatan Ibrahimoviç mund të bëjë një kthim të bujshëm në kampionatin italian që në sezonin e ardhshëm, pasi me sa duket është i pakënaqur në Paris, ndonëse është idhulli i ri i kampionatit francez dhe skuadrës së PSZH.
Një fakt të tillë e ka zbuluar gazeta suedeze “Aftonbladet”, e cila ka qenë gjithmonë shumë e afërt me lojtarin dhe shumë shpesh ka siguruar prej tij ekskluzive të rëndësishme.
Gazetarja Xhenifer Uegerup ka sqaruar për “Radio CRC” se si është situata reale e futbollistit, duke lënë të kuptohet se Ibra është gati të bëhet idhulli i një skuadre tjetër italiane, pasi mund të veshë fanellën e Napolit në të ardhmen.
“Ai emri i parë në listën e dëshirave të presidentit De Laurentis dhe transferimi i tij te Napoli nuk do të ishte aq i çuditshëm. Është e vërtetë që ka një rrogë shumë të lartë për skuadrat italiane por PSZH nuk ka qenë kurrë një zgjedhje e vetë Zlatan, ai iu shit pa dëshirë klubit parisien. Ai do të dëshironte të luante në jug, Napoli i pëlqen… ndaj nuk do të çuditesha nëse do ta shihja me fanellën e kësaj skuadre. Një gjë është e sigurt, atij i mungon Italia, ushqimi, ngrohtësia e njerëzve dhe tifozëve italianë”, ka shpjeguar gazetarja suedeze. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 18:29