Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka bërë të qartë se skuadra e tij do të mendojë me prioritet kampionatin, i cili është objektivi kryesor i bardhezinjve dhe ai më i realizueshmi për momentin.
“Titulli kampion është ai që është në një distancë të arritshme, do të ishte spektakolare nëse do ta rifitonim përsëri. Gjërat e tjera si Liga e Kampioneve janë irreale, ëndrra thuajse të parealizueshme. Duhet të qëndrojmë të përulur, pasi mendjemadhësia të vret”, tha trajneri i bardhezinjve para ndeshjes me Peskarën që skuadra e tij luan nesër.
“Nuk duhet të humbim kurrë nga sytë realitetin, ose më saktësisht atë që brenda pak muajsh, Juventusi ka fituar titullin kampion, Superkupën, po luan në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe është përsëri në vendin e parë në kampionat. Juventusi brenda pak muajsh është ringjallur nga dy vende të shtata radhazi dhe nga “Calciopoli”. Ky është një realitet që të gjithë duhet të kenë parasysh, sidomos tifozët”, ka shpjeguar Konte duke i bërë edhe një apel skuadrës së tij.
“Dua që me Peskaran të fitojmë si ndaj Interit, me uri të jashtëzakonshme”, ishte kërkesa e tij, me shpresën që një paraqitje e tillë ndoshta të ndihmojë edhe një mrekulli të mundshme kundër Bajernit në mesjavë. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 18:28