Tre gjyqtarë libanezë futbolli kanë akuzuar se kanë përfituar ryshfet në formën e marrëdhënieve seksuale me prostituta për të manipuluar një ndeshje të Kupës AFC në Singapor, sipas asaj që raportoi policia vendase.
Gjyqtari Ali Sabagh dhe asistentët Ali Eid dhe Abdallah Taleb, u zëvendësuan me shpejtësi nga zyrtarë nga Tajlanda e Malajzia për ndeshjen ku ekipi i Singaporit, Tampines Rovers, u mund 4-2 nga Ist Bengal i Indisë.
Tre gjykatësit libanezë u shfaqën në sallën e gjyqit të enjten duke dëgjuar akuzat e ngritura kundër tyre nga Byroja e Hetimeve mbi Praktikat e Korrupsionit në Singapor (CPIB).
“Ali Sabagh, Ali Eid dhe Abdallah Taleb u dërguan në gjyq, secili prej tyre me një akuzë të përfitimit të korrupsionit në formën e marrëdhënieve seksuale falas”, shkruhej në deklaratën për shtyp të CPIB. “Singapori ka përdorur gjithmonë tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe manipulimit të ndeshjeve, ndaj çdo formë e tyre është e dënueshme në vendin tonë”.
Kjo është ndër lëvizjet e para konkrete ku shteti i Singaporit ka ndërhyrë për të ndalur manipulimin e ndeshjeve. Pak muaj më parë, Europoli bëri të ditur se qindra ndeshje futbolli manipulohen nga një organizatë kriminale me qendër në Singapor, por deri tani, ky shtet nuk ka bërë asgjë për të dërguar të dyshuarit para drejtësisë, edhe pse ato njihen publikisht nga të gjithë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 18:40