Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, i ka bërë një ftesë publike Papës që të vizitojë stadiumin “Kamp Nou” dhe të ndjekë një takim të skuadrës katalanase.
Papa Françesko I është një tifoz i zjarrtë futbolli, sidomos i klubit të qytetit të tij të lindjes, San Lorenzo, ndërsa ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të futbollit që nga momenti i përzgjedhjes, duke filluar nga kombëtaret e Italisë dhe Argjentinës që po planifikojnë një takim në nder të tij.
Dy nga yjet e kombëtares argjentinase, Lionel Mesi dhe Havier Maskerano, janë aktualisht pjesë e ekipit katalanas dhe Rosell mendon se do të ishte një privilegj që kreu i kishës katolike të ndiqte një ndeshje të tyre me klubin.
“Si president i Barcelonës, do të ishte një nder shumë i madh që të ndanim me ju futbollin dhe jo vetëm atë si interesin tonë të përbashkët, pasi edhe ngjyrat e klubeve që preferojmë të dy janë të ngjashme. Do të mirëprisja me kënaqësi praninë tuaj në një ndeshje në “Kamp Nou” dhe të gëzoheshit me lojtarët tanë, sidomos bashkëkombësit tuaj, Mesi dhe Maskerano, të cilët e kanë mbështetur këtë përshëndetje duke hedhur firmën e tyre në këtë letër”, shkruhet në mesazhin e Rosell. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 10:02