Bajern Mynih është vënë në ndjekje të kapitenit të Mançester Sitit, Vincent Kompani, pasi ky i fundit ka pasur një debat publik me trajnerin Roberto Mançini. Mbrojtësi belg kishte një përplasje me teknikun italian pasi vendosi të luante për kombëtaren e vendit të tij, ndërsa kishte munguar në 8 takimet e mëparshme për klubin anglez për shkak dëmtimi.
Ndonëse bavarezët janë të ndërgjegjshëm se vetë futbollisti 26 vjeçar dëshiron të vazhdojë të qëndrojë në Angli, ata janë në pritje të një ndryshimi të situatës, pasi kërkojnë prej kohësh lojtarin, që kur ai aktivizohej të Hamburg.
Pep Guardiola, i cili do të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm, është një admirues i qendërmbrojtësit, i cili u transferua te Mançester Siti në vitin 2008 për vetëm 6 milion paund. Kjo është arsyeja pse ai u ka bërë të qartë drejtuesve se nëse shfaqet edhe mundësia më e vogël për të firmosur me lojtarin belg, ajo duhet të shfrytëzohet maksimalisht.
Megjithatë, Kompani ka një kontratë 5 vjeçare me klubin dhe vështirë se do të pranojë të largohet. Shansi i vetëm i Bajernit është që Mançini të kërkojë shitjen e tij pas këtij debati publik, pasi lojtari ka injoruar kërkesën e trajnerit për të mos rrezikuar me një tjetër dëmtim në fund të sezonit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 09:54