Real Madrid ka hedhur një hap shumë të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve pas fitores 3-0 përballë Gallatasarajit në ndeshjen e luajtur në “Santiago Bernabeu”. Në një takim ku diferenca në cilësi mes lojtarëve të dy skuadrave ka qenë e dukshme, Murinjo ka triumfuar përballë mikut të tij Terim, ndërsa ka marrë këtë sukses që i jep qetësi për sfidën e kthimit në Stamboll në javën e ardhshme.
Ndeshja ka filluar menjëherë nën ritmin e Realit, që gjen avantazhin që në minutën e 9-të të sfidës me anë të të zakonshmit Ronaldo, pas një aksioni model të madrilenëve. Gallatasaraj mundohet të reagojë, por e ka të vështirë të çajë në mbrojtjen spanjolle. Për më tepër, turqit lënë shumë hapësira mbrapa dhe goli i dytë nuk do të vonojë, me autor Benzema, i aftë të shfrytëzojë një harkim tek i cili Ronaldo nuk mbërrin.
Gallatasaraj fillon të zgjohet dhe të shohë para, me Drogba e Jilmaz që krijojnë disa raste para Lopez. Mundësinë më të mirë për të shkurtuar diferencën e ka Ebue pak para fundit të pjesës së parë, por gjuajtja e tij qendrore devijohet me këmbë nga portieri i Realit që shpëton katërkëndorin e tij.
Pjesa e dytë ka rimte më të ulëta, ndonëse rastet nuk mungojnë në të dy portat. Murinjo e kupton që diçka duhet ndryshuar dhe gjen zëvendësimin e duhur, duke larguar Benzema por të aktivizuar Higuain. Argjentinasit i mjaftojnë vetëm 8 minuta në fushë për të shënuar golin e tretë të madrilenëve me një gjuajtje me kokë, duke i dhënë qetësinë trajnerit të vet, i cili më pas vendos të mbrohet duke hedhur në fushë Modriç e Pepe në vend të Ozil e Di Maria. Gallatasaraj provon në të gjitha mënyrat të gjejë golin, por pa sukses. Edhe në rastin kur Ramos rrëzon në zonë Jilmaz, gjyqtari gabon duke i dhënë karton të verdhë sulmuesit për simulim.
Takimi përfundon 3-0 për Realin, që tashmë ka një këmbë në gjysmëfinale, ndonëse turqit kanë dhënë sinjale se mund të bëjnë më shumë dhe në ndeshjen e kthimit, para publikut të tyre, do të kërkojnë të paktën të bëjnë Realin të djersijë për kualifikimin. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 22:48