Zinedin Zidan ka vlerësuar shumë yllin e Totenhem, Garet Beil, duke e cilësuar lojtarin uellsian si futbollistin më të mirë në Evropë në këtë vit. Francezi, që aktualisht është drejtor sportiv te Real Madrid, i pyetur rreth lojtarit më të mirë në Ligën e Kampioneve, nuk ka ngurruar të flasë për futbollstin që në fakt nuk ka marrë pjesë në këtë edicion në këtë aktivitet.
“Ka gjithmonë lojtarë të cilët janë më të mirë se të tjerët dhe bëjnë diferencën. Mjafton të shihni Kristiano Ronaldon te Real Madrid”, tha Zidan për “Sky Sports”. “Por problemi është se lojtari që më ka bërë më shumë përshtypje në këtë vit, nuk luan në Ligën e Kampioneve. Ai po luan në kupën tjetër (Europa League) dhe është Beil”.
Zidan, që mbahet si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve, më pas foli me superlativa për talentin e uellsianit 23 vjeçar.
“Atë nuk mund ta krahasosh me askënd, është unik, bën që gjërat të duken të lehta, hapi i tij është i frikshëm. Përshpejtimi i tij është i pabesueshëm për shkak të mënyrës se si ndryshon marsh brenda një hapësire shumë të ngushtë. Për më tepër, ai është shumë i aftë edhe teknikisht, që është diçka shumë e rëndësishme, pasi ai luan futboll shumë mirë”.
“Ai më ka mahnitur. E kam parë në stadium 2-3 herë, edhe kohët e fundit në Lion, që nuk ishte ndeshja e tij më e mirë. Por sa herë që ai kishte topin, ai mund të të mahniste. Sa larg është nga Mesi dhe Kristiano Ronaldo? Ai ndoshta nuk është në nivelin e tyre, por është ndryshe. Ndaj personalisht mendoj se nuk është aq larg”, ishte komenti i Zidan mbi Beil.
Kjo deklaratë ka shtuar spekulimet për të ardhmen e lojtarit, pasi interesimi i drejtpërdrejtë i drejtorit sportiv të Real Madrid do të thotë se edhe klubi spanjoll po ndjek situatën e tij dhe shumë shpejt mund të bëjë një ofertë për futbollistin që vlerësohet 80 milion euro nga Totenhem. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 14:36